Aksident në Podujevë, katër të lënduar

Një aksident trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 18:00 në magjistralen Podujevë – Prishtinë, konkretisht te “Qershiat e Llapashticës”, raporton Llapi.info.

Në këtë aksident, sipas dëshmitarëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, janë të përfshira dy vetura, ku përveç dëmeve materiale kanë mbetur të lënduar katër persona.

Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Arlinda Rexhepi, e cila ka deklaruar se bëhet fjalë për lëndime të lehta.

“Rreth orës 17:50 në atë lokacion ka ndodhur një aksident trafiku mes të dy veturave, ku nga ky aksident lëndime të lehta trupore kanë pësuar katër persona”, ka thënë Rexhepi.

Ekipet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar medieve, vetëm dje në Kosovë kanë ndodhur 45 aksidente, prej tyre 18 kanë përfunduar me persona të lënduar, kurse 27 vetëm me dëme materiale.