Aksidenti me 5 të vdekur në Itali, shoferi shqiptar i autobusit: Nuk kam asnjë faj, por gjithçka peshon…

“Makina tjetër ishte me shumë shpejtësi, po lëvizte me të paktën 150 kilometra në orë”. Kështu ka deklaruar Vangjel Tuslluku, 58 vjeçari shqiptar, i cili mbrëmjen e së dielës është përfshirë në një aksident të rëndë.

Shoferi i autobusit u përplas me një “Volkswagen Polo” ku ndodheshin 5 të rinj, të cilët humbën jetën.

Imad dhe Nadiq Salah, Imad El Harra, Dennis Guerra dhe Irene Sala, më e vogla vetëm 17 vjeç vdiqën menjëherë në vendin e ngjarjes si pasojë e aksidentit duke u bërë kështu viktima të një tragjedie që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë në atë zonë. Shoferi shqiptar i autobusit ka folur për mediat italiane.

“Ishte një përplasje shumë e fuqishme. Pashë një dritë në korsinë time. Fillimisht mendova se ishte motor. Në një moment pashë makinën përpara dhe dëgjova një zhurmë të fuqishme. Më goditi dhe menjëherë u thye xhami. Nuk mund të shihja asgjë. Në këtë moment kalova në korsinë tjetër, humba kontrollin. Autobusi nuk kishte më frena dhe timoni ishte shumë i fortë. Mjeti ndaloi pas disa sekondash, ndërsa unë vazhdoja të dëgjoja një zhurmë të tmerrshme. Isha i bindur se po godisja edhe mjete të tjera”, ka treguar ai.

58-vjeçari po kthehej nga liqeni Garda dhe sapo kishte mbaruar turnin e punës. Tuslluku banon në Itali prej më shumë se 30 vitesh. Së bashku me gruan dhe vajzën 11-vjeçare ai jeton në Castenedolo. Megjithatë ky aksident ka lënë pasoja të rënda tek ai.

“Ndjej dhimbje. Kam vështirësi të fle dhe vazhdon të më kujtohet aksidenti. Nuk e di se kur do të kthehem të drejtoj makinë sërish. Nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë. 5 të rinj u shuan. Nuk kam asnjë faj, por gjithçka peshon në ndërgjegjen time”, tha ai.

SYRI.net