Aktakuzë ndaj avokatit që mashtroi një grua dhe ia mori 10 mijë euro

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit I.R. nën dyshimin se i mori një gruaje 10 mijë euro duke e mashtruar dhe e vënë në lajthitje se do ta përfundojë procesin gjyqësor dhe ndalimin policor kundër saj.

“Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2017/2018, i pandehuri I.R., duke ushtruar funksionin e avokatit, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me qëllim të përfitimit pasuror ka mashtruar të dëmtuarën M.B., në atë mënyrë që duke i fsheh faktet, e ka vënë në lajthim, se ndaj saj nuk do të paraqitet kërkesë për paraburgim, duke e mashtruar se do ta përfundojë procesin gjyqësor dhe ndalimin policor kundër saj, për një rast që e kishte pasur në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe se procesi gjyqësor do të përfundonte në mënyrë pozitive dhe ajo do të lirohej”, njofton Prokuroria.

Prokurori i shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për këtë vepër penale, si dhe ndaj tij të shqiptojë edhe dënimin plotësues – Ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës, transmeton Klan Kosova.