Qalaj: Derisa Fondi i Sigurisë nuk rregullohet me ligj, mund ta ketë ‘fatin’ si fondet e kaluara

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin për Siguri, ku qytetarët me aq sa kanë mundësi mund të kontribuojnë.

Deputeti nga radhët e PDK, Rashit Qalaj, në një prononcim tha se në këtë fond mungojnë shumë gjëra mjaft me rëndësi, derisa e quajti fond populist.

“Vendimi për Fondin e sigurisë mendoj se është një fond populist. Qeveria e Kosovës është dashur ta sjell si projektligj në Kuvend ku pastaj do ta miratonin gjitha partitë politike. E tek atëherë besoj që nga aspekti ligjor ky fond do duhej të ishte shumë më në rregull dhe i përkrahur nga deputetët dhe qytetarët”,tha Qalaj.

Deputeti i PDK-së, tha se derisa vendimi për Fondin nuk është i rregulluar në mënyrë ligjore atëherë egziston mundësia që të ketë keqpërdorime, sikur qysh ka ndodhur me fondet e kaluara.

“Mendoj se fillimisht qeveria është dashur ta ndaj një buxhet për këtë fond mirëpo mesa unë e kam parë në vendimin e Qeverisë mungojnë shumë gjëra sa i përket këtij Fondi. Fillimisht sa i përket planifikimit se si do të shpenzohen ato mjete, a do të të ketë auditim, kush i kontrollon, pra janë shumë gjëra që unë së paku po i vërej që mungojnë. Derisa nuk është si duhet ky vendim në mënyrë ligjore gjithmonë ekziston mundësia e keqpërdorimit”,tha Qalaj për Gazetën InLajmi.

Më tej, ai tha se nuk kishte dashur të mendonte fare se ky fond mund të keqpërdoret.

“Fatin si fondet e kaluara. Por që mos ta mendojmë këtë duhet të krijohen mekanizmat e kontrollit në mënyrë që të hiqen të gjitha dyshimet”,tha ai.