Ambasadori Abbott përshëndetet me kosovarët nëpërmjet një video

Nicholas Abbott, është në fund të mandatit si ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.

Ai me anë të një videoje është përshëndetur me popullin e Kosovës, duke kujtuar momentet më të bukura, por edhe sfidat.

Abbott zgjodhi fjalët më të mira për vendin dhe popullin.

“Ka qenë një eksperiencë e veçantë. Mirëpritja e ngrohtë e popullit këtu ka bërë që puna dhe jetesa këtu të jetë ndryshe nga çdo gjë tjetër që kam bërë ndonjëherë. Ndërkohë që ka pasur sfida në katër vjet e gjysmë të fundit përfshirë COVID-in”, tha ai.

Diplomati britanik, theksoi se marrëdhënia e ngushtë dhe e fortë mes vendeve tona do të thotë që ne të mbetemi partnerë dhe aleatë.

“Mburrem me trajnimin që ua ofruam FSK-së, dhe fokusi ynë do të jetë i vazhdueshëm për mbështetjen e familjeve që janë ende në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të rezultojnë ende të zhdukur”, shtoi Abbott.

Ai pati edhe një porosi edhe për udhëheqësit e në Kosovë.

“Unë nuk kam recetë të lehtë për zgjidhje, por u bëj thirrje atyre që udhëheqin Kosovën të krijojnë një vizion të një vendi modern demokratik, i cili mbështet, inkurajon dhe mbron qytetarët e tij të të gjitha komuniteteve pa dallim”, tha në fund ai.