Ambasadori Kosnett falënderues për nderin ndaj Bob Dole, thotë se duhet punë për të mbajtur në një vijë pozicionet SHBA-Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, është shprehur falënderues lidhur me inicimin e ndërtimit të një busti në Prishtinë në nderë të Senatorit amerikan Bob Dole.

Kosnett ka thënë se Qeveria e SHBA-ve me atë të Kosovës ndodh të mos pajtohen në rrugën e politikës, por partneriteti mes tyre nuk varet nga ndonjë parti politike apo ndonjë udhëheqës, njofton Klan Kosova.

”Ju falemnderit të gjithëve për prezantimin. Falënderoj të gjithë, jemi të nderuar që jemi pjesë e vënies së gurthemelit dhe e di që edhe senatori Bob Dole është i prekur thellë nga ky nderim”.

”Gjatë tërë jetës së tij në shërbim, si hero i ushtrisë amerikane pastaj si kongresmen, Bob Dole i ka prirë përpara kauzës për paqe në tërë botën”.

”Qeveritë tona ndoshta nuk do të pajtohen gjithmonë drejt politikave, e derisa partneriteti i SHBA-ve me Kosovën vazhdon të piqet, duhet punë e madhe për t’i mbajtur në një vijë këto pozicione. Partneriteti ynë mes vete nuk varet nga ndonjë parti e posaçme politike apo ndonjë udhëheqës”.

”Ky monument i Bob Dole, le të na frymëzojë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e saj, në ndërtimin e një atdheu që ata e meritojnë. Një Kosovë që do të jetë në paqe me fqinjtë e saj, shtet me mundësi të barabarta për të gjithë”.