Amerika tha se ka marrë përgjigje me shkrim rreth Ukrainës, Rusia mohon

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Alexander Grushko, të martën i mohoi raportimet se Moska i ka dhën ShBA-së përgjigje me shkrim rreth propozimeve të Uashingtonit për garancitë e sigurisë të kërkuara nga Rusia, raportoi agjencia RIA.

Kjo agjenci citoi një burim diplomatik të ketë thënë se përgjigjja ndaj Shteteve të Bashkuara është ende duke u përgatitur, shkruan Reuters.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të ShBA-së tha të hënën se Shtetet e Bashkuara kanë marrë përgjigje me shkrim nga Rusia për këtë çështje.

“Do të ishte e padobishme që të bisedohet në publik, prandaj do t’ia lëmë Rusisë, nëse ata duan që të diskutojnë për përgjigjen e tyre. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj dialogut për t’i adresuar këto çështje dhe do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me aleatët (e NATO-s) dhe partnerët, përfshirë Ukrainën”, tha zëdhënësi amerikan.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i dërguan Rusisë përgjigje me shkrim rreth kërkesave të Moskës për garancitë e sigurisë, të detyrueshme ligjërisht, në kohën e tensioneve rreth planeve të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha javën e kaluar se përgjigjet e ShBA-së e NATO-s nuk i kanë adresuar kërkesat kryesore të Moskës, por se vendi i tij është i gatshëm që t’i vazhdojë bisedimet.