Amerikanët e çojnë në Beograd delegacionin për të hapur zyrën që do të implementojë marrëveshjet e Shtëpisë së Bardhë

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të vonohen dhe pritet që të dërgojnë delegacionin për të hapur zyrën në Beograd, nga e cila do të shikohet implementimi i marrëveshjes se arritur në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje historike në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 4 shtator, një marrëveshje që hap rrugë për investime ekonomike në rajon, kurse Kosova u kthye nga SHBA edhe me një njohje nga shteti i Izraelit.

Pas kësaj marrëveshje, amerikanët nuk kanë qëndruar duarkryq.

Ata do të nisin për në Beograd menjëherë një delegacion për të mbikëqyrur implementimin e kësaj marrëveshje.

Këtë e ka bërë të ditur Adam Boehler nga Departamenti për Zhvillim Ekonomik Ndërkombëtarë në qeverinë amerikane.

“Pas arritjes historike të marrëveshjes historike në mes të Serbisë dhe Kosovës javën e kaluar, do të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë gjatë datës 21 shtator për të hapur zyrën e DFC-së dhe të fillohet menjëherë në zbatimin e projekteve kyçe për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike”, ka shkruar Beohler në Twitter.

Kujtojmë se me Boehler ishte takuar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti para se të kthehej në Kosovë e ku ia kishte prezantuar projektet për zhvillim ekonomik që ishin nënshkruar me Trump në marrëveshje për normalizimin ekonomik./GazetaExpress/