Analistët i vlerësojnë të pandershme aderimet para zgjedhjeve

Edhe në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, ashtu sikurse në zgjedhjet e kaluara, personalitete të ndryshme kanë aderuar në subjekte politike. Lëvizjet e tilla, analistët i krahasojnë me ato të futbollit, gjë që sipas tyre i bëjnë jolojal ndaj subjektit por edhe ndaj programit politik. Përmes aderimeve, njerëzit po shiten ose po huazohen, deklarojnë për KosovaPress analistët çështjeve politike.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se aderime të tilla nuk janë të ndershme, pasi që ndodhin në kohë fushate.

Për politologun Ramush Tahiri përmes aderimeve, njerëzit po shiten ose po huazohen. Për të, arsyet e aderimeve politike janë të ndryshme, e si rrjedhojë edhe rezultati i tyre, e që kryesisht thotë të jetë një korrelacion i përbashkët me dobi të dyanshme.

E ajo që duket keq në këtë punë, sipas Tahirit, është ajo se politika shihet të jetë mbi gjithçka.

Sipas tij, është shumë më mirë që të ketë më shumë njerëz jashtë politikës, sesa në politikë.

E për ata që kalojnë nga një subjekt në tjetrin, Tahiri konsideron se lëvizjet e tilla nuk bartin ndonjë vlerë.

Edhe analisti politik, Rrahman Paçarizi, thotë se aderimi në prag të zgjedhjeve është i pasinqertë.

Megjithatë, ai thotë se ka situata të ndryshme të aderimeve, ku ka edhe aderime për shkak të bindjeve politike.

E për ata që kanë ndërruar subjektet politike, Paçarizi thotë se janë mercenarë politik që synojnë të shijojnë privilegjet e forcave politike.

E njohësi i aktualitetit, Rasim Alija bënë një krahasim interesant për aderimet. Aderimet e profesorëve, ekonomistëve, analistëve e artistëve, sipas tij, ngjasojnë me futbollin.

Ai thekson se mbetet të shihet se sa do t’i ndihmojnë aderimet subjekteve politike, pasi sipas tij, jo rrallëherë lëvizjet e tilla kanë sjellë humbje të votave në vend të votave të reja.

Ndryshe, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke filluar nga 25 shtatori. Ndërsa më 6 tetor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.