Analistët: Kurti të shkojë në dialog, të kërkojë heqjen e masave ndaj Kosovës

Kjo javë shihet si vendimtare kur Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Dhe, krejt kjo për shkak që të dyja palët si Kosova e po ashtu edhe Serbia kanë pranuar disa kërkesa që iu janë paraqitur të shtunën nga pesëshja perëndimore, shkruan Front Online.

E, pikërisht dje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar një takim të radhës në Bruksel, në të cilin do të jetë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se ky takim do të ndodhë brenda dy-tre ditësh, por që ka shtuar se nuk mund të flasë për agjendën.

Që do të ketë takim e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka thënë se takimi do të ndodhë më 26 tetor.

Por, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës.

Front Online ka pyetur zëdhënësin e Qeverisë Përparim Kryeziun, se a ka pranuar kryeministri Kurti ndonjë ftesë nga Bashkimi Evropian për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq po se i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Por, se a duhet të shkojë Kurti në takim më presidentin Vuçiq, edhe pas asaj që ndërkombëtarët ende nuk e kanë sanksionuar Serbinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator?

Analistët politikë, thonë që kryeministri Kurti nuk duhet ta refuzojë takimin.

Demhasaj: Kurti të shkoj në tryezë të dialogut, por t’u kërkojë falje qytetarëve

Analisti politik, Arton Demhasaj thotë për front Online se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të shkojë në takim në Bruksel, por se duhet t’u kërkoj falje qytetarëve pasi që ka kërkuar që së pari të sanksionohet Serbia e pastaj të vazhdohet me dialog.

“Unë mendoj se po duhet të shkohet, mirëpo njëkohësisht me këtë i bjen që kryeministri Kurti duhet me i kërku falje qytetarëve të Kosovës sepse ai gjithë kohën ka folur që nuk duhet të shkohet në dialog pa u sanksionua Serbia dhe nëse këtë e bën që të shkojë në dialog pa u sanksionu Serbia atëherë normalisht minimumi që duhet ta bëjë është me i kërku faje qytetarëve”, ka thënë Demhasaj për Front Online.

I, pyetur se pse pikërisht në kohën kur Serbia duhet të sanksionet, ndërkombëtarët po kërkojnë themelimin e Asociacionit, Demhasaj ka shtuar se ky është obligim që është pranuar nga pala kosovare.

“Për shkak se është obligim që ne e kemi marrë. Ne çështjen e Asociacionit e kemi obligim fillimisht nga pakoja e Ahtisarit, pastaj nga marrëveshja e 2013, pastaj marrëveshja e 2015 deri te kjo marrëveshja e fundit që ua rrit në këtë vit në shkurt e njëkohësisht edhe me aneksin e Ohrit është pranuar si obligim nga Kosova hartimi apo themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kështu që fakti që ti e ke pranu si obligim atëherë normalisht që partnerët ndërkombëtarë kanë me insistu që kjo pikë duhet të zbatohet, madje nëse e shohim në aneks të Ohrit është njëra prej pikave të para që Kosova e ka si obligim që duhet me fillu”, është shprehur ai.

Sipas tij, në momentin që Kosova fillon procedurat për themelim të Asociacionit, presioni do të bartet tek Serbia për njohje të dokumenteve të Kosovës.

“Në një farë mënyre me shumë gjasë konsiderohet si çelësi i zbatimit të marrëveshjes sepse sapo Kosova të fillojë procedurat e themelimit të Asociacionit mendoj që pastaj presioni ka me u bart te Serbia për ta zbatuar pjesën hyrëse të marrëveshjes së Brukselit që i bjen njohja e dokumenteve të Kosovës që po interpretohet si njohje faktike e Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera Demhasaj.

Arifi: Kurti t’i përgjigjet pozitivisht takimit në Bruksel, të kërkojë me ngulm heqjen e sanksioneve

Që kryeministri Albin Kurti duhet t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim në Bruksel e thotë edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Dritëro Arifi.

Por, ai thotë se Kurti në tavolinë duhet të vendo një kusht ndaj ndërkombëtarëve.

“Normalisht po besoj që kryeministri duhet të shkojë në tavolinë pavarësisht që Serbia nuk po ndëshkohet, por duhet ta kërkojë që të paktën të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovë, dhe ky do të ishte hapi i parë pozitiv nëse arrin si shtet ta bëjmë këtë. Ndërsa dialogu vështirë që të ndalet sepse kjo nuk varet vetëm nga ne, por varet nga bora perëndimore, por bota perëndimore ende nuk po e ndëshkon Serbinë për shkak se ata po shpresojnë që mund të arrijnë që shumë shpejtë ta zbatojnë marrëveshjen franko-gjermane e që unë dyshoj që do të arrihet diçka”, është shprehur Arifi, për Front Online.

Ndërsa, insistimin e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit, Arifi po e sheh si kërkesë të logjikshme, duke thënë se pala kosovare e ka nënshkruar një gjë të tillë.

“Insistimi i ndërkombëtarëve për formimin e Asociacioni nga një këndvështrim është i logjikshëm sepse pala kosovare ato i ka nënshkruar edhe është zotuar edhe publikisht edhe vet kryeministri Kurti kështu që është në një farë forme një përgjegjësi dhe një marrëveshje e Kosovës me ndërkombëtarët, pra është një marrëveshje ndërkombëtare për ne për shkak të raportove që i ka Kosova me bashkësinë ndërkombëtare, respektivisht botën perëndimore”, ka thënë ai.

Ndër pikat më të nxehta të dialogut është Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E arritur në vitin 2013, ajo nuk është zbatuar kurrë, pasi zyrtarët në Prishtinë kanë shprehur shqetësime se kompetencat e gjera për këtë asociacion, do të mund të ndikonin negativisht në funksionalitetin e shtetit.

Por, nga SHBA-ja kanë porositur Kosovën se themelimi i këtij asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.