“Analiza” me shpifje e Mehmet Krajës mbledhë sot në 12:00 akademikët

Opinioni skandaloz në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i mbushur plot me akuza për ish-presidentin Hashim Thaçi, ka detyruar ASHAK-un që të mblidhet me urgjencë.

Opinioni i Krajës i publikuar në emër të Akademisë, që u kundërshtua nga anëtarët e tjerë, ka bërë që ASHAK të mblidhet sot në orën 12:00, raporton Demokracia.com.

Pas publikimit në Demokracia.com se akademikët Hivzi Islami, Isa Mustafa, Anton Berishaj, Arsim Bajrami, Muhamedin Kullashi kishin kërkuar që kjo “analizë” të mos botohej në emër të Akademisë, por që Kraja ta botonte në emrin e tij personal, mediumi ka kontaktuar me disa prej tyre, por ata nuk kanë dashur që të prononcohen.

Një përgjigje, por jo edhe qëndrim për opinionin skandaloz të Krajës e ka kthyer akademiku Isa Mustafa.

Mustafa nuk ka pranuar të prononcohet, duke thënë se qëndrimin e tij do ta paraqesë në Akademi.

“Do të jetë një takim në Akademi, ku do ta diskutojmë këtë çështje”, ka thënë shkurtër Mustafa për Demokracia.com.

Opinioni ku Kraja e akuzonte ish-presidentin Hashim Thaçin, duke ia veshur rolin e “ndarësit të Kosovës” ishte publikuar më 22 nëntor në AShAK, gjë që nxiti debat në shoqërinë tonë. Në opinionin personal të Krajës, që publikut iu plasua si qëndrim i ASHAK-ut, pretendohet se ideja e ndarjes së Kosovës përmes shkëmbimit të territoreve u përcoll nga Thaçi mu pas themelimit të Gjykatës Speciale, sipas tij “për ta shpëtuar veten”.

Madje, ASHAK-u e vendosë edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama në këtë plan, ngase sipas tyre ky i fundit donte të paraqitej “si lider […] duke u frikësuar mos po mbetet prapa”.

E akademiku ‘pishmanli’, dje e ka ndryshuar analizën e tij.

Demokracia.com ka zbuluar se ai e ka zbutur analizën, duke i hequr shumë akuza.