Thaçi: Nuk guxojmë më të bëjmë hapa të gabuar siç ishin taksa dhe reciprociteti

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, tha se Kosova nuk guxon më të shkojë pas ‘kauzave të rrejshme’, siç është taksa dhe reciprociteti, pasiqë ato kanë treguar se është rrezikuar shumë Kosova.

Presidenti tha se përballë Serbisë i gjithë spektri politik duhet të jetë i unifikuar, përfshirë opozitën.

“Përballë Serbisë të gjithë duhet të jemi ë bashkuar, pozitë, opozitë, i gjithë spektri politik I vendit. Kemi pasë kauza të rrejshme që kanë dëmtuar Kosovën si reciprociteti, taksa të cilat kanë qenë të dëmshme. Hapa të tjerë të gabuar nuk mund të bëjmë, por duhet të lëvizim përpara”, tha Thaçi në konferencën për media.

“Shpreh mirënjohjen për heqjen e çdo preteksti që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur çdo dialogu me Kosovën. Kosova në këtë proces është bashkë me SHBA-të dhe gjithë aleatët e tjerë, nuk kemi çka të hezitojmë pasi është rrugëtim i sigurt. Kosova është gati, do të punojmë që të jemi sa më unik dhe të bashkuar, ta plotësojmë njëri tjetrin”, ka thënë Thaçi”, ka thënë ai.

Thaçi ka përmendur edhe zhbllokimin e fondeve të SHBA-ve pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa i pyetur nëse do ta udhëheq ai apo Hoti dialogun, Thaçi ka shtuar se është me rëndësi që përballë Serbisë të jenë të bashkuar.

“Ne përballë Serbisë kemi qenë gjithmonë të bashkuar, ne nuk jemi në garë përballë Serbisë por jemi për të plotësuar e koordinuar njëri-tjetrin që ky proces të përmbyllet suksesshëm dhe të kemi njohjen reciproke prandaj ky është synimi i të gjithë neve në Kosovë”, ka shtuar ai.