Anëtarët e VV’së tash e lartësojnë Rugovën: Nëse LDK ndjek shembullin e tij, nesër bëhemi me qeveri

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha ka lavdëruar figurën e Presidentit Ibrahim Rugova në 14 vjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se LDK’ja duhet të ndjek shembullin e Rugovës, në mënyrë që të bëhet sa më shpejtë qeveria.

Përmes një shkrimi në Facebook, Basha thotë se Rugova ka qenë burrë i urtë dhe i mençur që ka parë përtej personave, duke shtuar se nëse sot partia të cilën ai e ka drejtuar do të përcillte shembëlltyrën e Rugovës, që nesër do të bëhej qeveria.

“Rugova ka ekzistu kur Kosova s’ka pas parti. Rugova ka udhëheq kur Kosova s’ka pas lider. Rugova ka pleqnu kur Kosovës ju ka mohu kuvendi. Rugova ka fol kur Kosovës me dhunë ju ka mbyll goja. Rugova ka hap rrugë kur Kosovës ju kishin mbyll krejt dyert. Rugova ka qenë burrë i urtë dhe i mençëm që ka pa përtej personave. Vizioni i tij ka qenë vendi e populli, jo egot e individëve. Sot nëse LDK synon të përcjell shembëlltyrën e Rugovës, ne që nesër bëhemi me qeveri”, ka shkruar deputeti i VV’së.

Kujtojmë se sot është shënuar përvjetori i 14’të i vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, të cilin e kanë kujtuar shumë figura të skenës politike. /gazetametro.net