Anti-Korrupsioni denoncon në Prokurori ambasadorin Martin Berishaj

Agjencia Kundër-Korrupsion ka ushtruar kallëzim penal kundër Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Berishaj dyshohet për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, pasi në formularin e deklarimit të pasurisë më 2021, nuk i ka deklaruar aksionet e tij në kompaninë private “MB Consulting”.

Pas zhvillimit të hetimeve paraprake, Anti-Korrupsioni ka proceduar lëndën kundër ambasadorit Berishaj në Prokurorinë e Shtetit më 5 gusht të këtij viti.

Lajmi është konfirmuar nga AKK-ja në një njoftim për portalin Nacionale.com.

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellësh me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjell në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Në fund të muajit prill të këtij viti, ambasadori Martin Berishaj është implikuar në një skandal të madh financiar, të cilin e ka zbuluar mediumi slloven, Planet TV.

Ambasadori dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Berishaj i ka mohuar akuzat për shpëlarje parash. Ndërkaq, ai nuk i ka komentuar asnjëherë raportimet e mediave për fshehjen e pasurisë së tij – konkretisht aksioneve të regjistruara në kompaninë “MB Consulting”.