Anton Quni jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së LDK-së në Prizren

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së kësaj partie në Prizren.

Quni përmes një postimi në Facebook, tha se ky vendim i tij vjen pas mosarritjes së rezultatit të duhur në zgjedhjet lokale.

“Unë, sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të LDK-së – Dega në Prizren. Këtë vendim e mora si përgjegjësi morale e imja për mosarritjen e rezultatit të duhur në zgjedhjet lokale”, ka shkruar Quni në Facebook.

Sipas Qunit përkundër ngritjes së numrit të votave, në krahasim me zgjedhjet nacionale 2021, dhe rritjes se numrit të kuvendarëve, ishte e pamjaftueshme që të jenë në raundin e dytë për të parin e komunës.

Quni tha se autorizimet e tij i bart te nënkryetari i kësaj dege, Hatim Baxhaku.

“Nga sot, me pajtimin e Kryesisë së Degës, autorizimet e mia i kam bartur tek Nënkryetari Dr. Hatim Baxhaku i cili, ditëve në vijim do t’i bashkëkoordinojë veprimet e aktivitetet me Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku”, ka shtuar ai.

“Unë vazhdoj të mbetem dhe të angazhohem si anëtar i Kryesisë së Degës, Nënkryetar i LDK-së në qendër dhe deputet i GP të LDK-së”.

Të qenit kryetar i degës, sipas Qunit, ishte privilegj dhe përvojë e mirë, por shprehet i bindur se me dorëheqjen e tij po mundësohet një riorganizim më i mirë i LDK-së në Prizren, nëndegëve dhe forumeve, me të cilin do të krijohen parakushtet për afirmimin e të rinjve të Prizrenit, ruajtjen e bërthamës por edhe hapjen e dyerve për më shumë njerëz e kuadro që do ta forcojnë LDK-në dhe do ta bëjnë, siç thotë ai, konkurrente serioze për ciklin e ri zgjedhor.