Mbi 650 mjekë të papunë në Kosovë

Fluksi i ikjes së mjekëve nga Kosova vit pas viti vlerësohet të jetë i lartë. Pagat e ulëta e mospunësimi janë arsyet kryesore që po shtyjnë mjekët ta lëshojnë vendin. Mbi 650 mjekë thuhet të jenë të papunë në vend, derisa institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të kenë mungesë të tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se gjatë vitit të kaluar mbi 100 mjekë kanë kërkuar certifikatat e pastërtisë etiko-profesionale në këtë Odë. Këto certifikata zakonisht merren nga ta për të aplikuar për punë në shtetet tjera.

Përndryshe, derisa institucionet publike shëndetësore në vend kanë mungesë të personelit mjekësor, mbi 650 mjekë të profileve të ndryshme po vazhdojnë të jenë të papunë në vend.

Sejdiu ka thënë se mungesa e punësimit, kushtet e punës e po ashtu edhe pagat janë arsyet kryesore që po shtyjnë mjekët të ikin nga vendi.

Sipas tij, mjekët nuk trajtohen dinjitetshëm në vend.

Për më shumë, Sejdiu ka përmendur edhe mjekët pa licencë, të cilët punojnë në Kosovë, derisa ka thënë se nga institucionet në vend nuk është marrë asnjë hap ndaj tyre. Ai ka thënë se puna që ata bëjnë pa licencë është vepër penale.

Zëri: A mendoni se mjekët trajtohen më dinjitetshëm në shtetet tjera sesa në Kosovë?

Sejdiu: As që diskutohet kjo çështje, mjeku në Kosovë në perceptimin e përgjithshëm është në nivelin më të ulët që mund të jetë.

Zëri: Sa mjekë aktualisht janë të papunë në Kosovë? Kryesisht cilave profile u takojnë?

Sejdiu: Duke u bazuar në regjistrin e OMK-së, janë të papunë mbi 650 mjekë, prej tyre mbi 60 specialistë të degëve të ndryshme.

Zëri: Derisa shumë mjekë po vazhdojnë të jenë të papunë, kemi parë që institucionet publike shëndetësore në vend kanë mungesë të tyre. Ku qëndron problemi këtu?

Sejdiu: Keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i resurseve njerëzore, kjo vlen në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor.