Ardita Sinani: Të dorëhiqet kryetari i komunës për të dëshmuar se angazhohet për qeveri të qytetarëve të Preshevës, e jo të Beogradit

Ardita Sinani, ish Kryetarja e Komunës se Preshevës, njëherit Kryetare e degës se PVD-së në Preshevë, ka kërkuar dorëheqjen e Shqiprim Arifit, kryetar i Preshevës, pasiqë ka humbur shumicën e përfaqësimit të qytetarëve, transmeton Fokusi.info.

Postimi i plotë i saj në Facebook:

TË DORËHIQET KRYETARI I KOMUNËS PËR TË DËSHMUAR SE ANGAZHOHET PËR QEVERI TË QYTETARËVE TË PRESHEVËS, E JO TË BEOGRADIT

Prishja e partnerëve të koalicionit qeverisës (Shqiprim Arifit dhe Sami Salihut) në Preshevë po e shpie komunën në një krizë të rëndë politike, që po e dëmton edhe më shumë interesin e qytetarëve, edhe në kohë pandemie. Pas qeverisjes të keqe disavjeçare, APN-LRPDSH-SNS po vazhdojnë degradimin politik, ekonomik dhe social të Preshevës; duke e vazhduar në fakt qeverisjen, edhe pse tashmë nuk e përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të komunës së Preshevës.

Duke qenë se Presheva ka mbetur pa qeveri legjitime dhe demokratike për shkak të Shqiprim Arifit dhe Sami Salihut, e sidomos pas dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit Komunal; Partia për Veprim Demokratik fton z. Shqiprim Arifi, të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës, për të dëshmuar se është për qeverisje demokratike të shumicës së qytetarëve të Preshevës.

Duke qenë se z. Arifi ka propaganduar gjithnjë atributet e tij demokratike, tashmë, ai e ka rastin ta dëshmojë se nuk e pranon rolin e qeveritarit pakicë mbi shumicën.

Me të njëjtin parim, ftojmë po ashtu kuadrot e LRPDSH, APN dhe SNS, që të tërhiqen nga ushtrimi i detyrave të tyre ekzekutive, deri në krijimin e shumicës së re parlamentare. ​ ​

Çfarëdo përpjekje e vazhdimit të qeverisjes së pakicës dhe e nxitjes së një organi të përkohshëm të vendosur nga ministria përgjegjëse në Beograd, pa marrëveshje politike nga të zgjedhurit e qytetarëve të Prehevës, do ta shpërfaq qëllimin e koalicionit APN-LRPDSH-SNS për një qeverisje lokale të imponuar nga Qeveria e Serbisë.

Çfarëdo qeverisje e re e Preshevës, e përkohshme apo jo, duhet të jetë rezultat i marrëveshjes politike të të zgjedhurve të qytetarëve të komunës së Preshevës. Duke u dorëhequr nga posti i kryetarit të Komunës, i cili tashmë po ushtrohet pa mbështetjen e shumicës së këshilltarëve komunalë dhe vetëm me mbështetjen e 2 këshilltarëve komunalë serbë nga radhët e partisë së Presidentit z. Aleksandër Vuçiq, ​ z. Shqiprim Arifi mund të dëshmojë se nuk angazhohet së paku për qeveri të përcaktuar nga vullneti politik i Beogradit.

Në të kundërtën, Partia për Veprim Demokratik do të inicojë së shpejti procedurë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, për t’ia kthyer qeverisjen qytetarëve të komunës së Preshevës.

A. S