Arrestohet i dyshuari për sulmin me granatë në shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin për sulm me granatë dore në shtëpinë e kryesuesit të Bordit të ndërmarrjes “Trepça”, Bahri Hyseni.

Sipas një njoftimit të Prokurorisë, F.B. është arrestuar pas një hetimi intensiv të kësaj prokurorie në bashkëpunim me policinë.

“I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar me dyshimin e bazuar se ka sulmuar me granatë dore shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës. Ndaj personit të dyshuar brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sulmi me granatë dore në oborrin e Hysenit ka ndodhur më 30 gusht dhe për të është raportuar një ditë pas.