Arrestohet Rrustem Mustafa, ish-komandant Remi

Para pak kohë është arrestuar ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.

Paparaci mëson se ish-komandanti i UÇK-së është dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

Remi, që ka qenë deputet i PDK-së vite më parë, dyshohet nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, për krime lufte.

Para dy muajve, Mustafa kishte përfunduar dëshminë e tij në Hagë.

Mustafa pati thënë se për të ka qenë shumë e rëndë ndjesia të ketë përballë bashkëluftëtarët e tij me akuza të padrejta.

“Nuk ka relativizim të fajit. Ky relativizim sa i pamoralshëm po aq i palogjikshëm, përfundoi me një kategorizim absurd dhe cinik: ata që sulmonin, ata që masakronin, ata që zbatonin strategjinë e tokës së djegur, ata që e pastronin etnikisht një territor të huaj, ata që ishin në tokë të huaj. Rrugën e relativizimit të fajit e ndjek politika serbe e mbështetur nga Rusia, madje edhe drejtuesit më të moderuar të partive politike dhe të shtetit”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, asnjë shpifje ndaj UÇK-së, nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi.

“Ata me po aq zell vazhdojnë ta zbulojnë fajin e të tjerëve, ndërkohë që nuk distancohen nga krimet që ka bërë një regjim, një shtet, njerëz konkretë në kohë dhe hapësirë të caktuar. Asnjë shpifje kundër të tjerëve, veçmas UÇK-së, asnjë imputim nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi, i cili duke indoktrinuar të tjerët e indoktrinoi veten, siç shihet, përjetësisht”, tha ai.

Remi kishte nisur dhënien e dëshmisë së tij në Hagë, para dy muajsh. Ai ishte dëshmitari i parë që ka dalë publikisht në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, pasi të gjithë të tjerët kanë qenë me masa mbrojtëse.