Arsenali e fiton derbin ndaj United në minutat e fundit

Arsenali e ka fituar derbin spektakolar kundër Manchester United, në kuadër të javës së 21-të në Premierligë.

“Topçinjtë” triumfuan 3:2 ndaj “Djajve të Kuq” në stadiumin Emirates në Londër.

Londinezët e nisën mirë takimin duke tentuar portën kundërshtare në çastet e para.

Megjithatë, të parët që gjetën rrugën e golit ishin “Djajtë e Kuq” që kaluan në epërsi me super-golin e Rashford në minutën e 17-të.

Të besuarit e Mikel Artetës u rikthyen shpejt në lojë duke barazuar në minutën e 24-të me golin e Nketiah dhe asistimin e mesfushorit shqiptar, Granit Xhakës.

Në pjesën e dytë, londinezët përmbysën rezultatin me super-golin e Sakas në minutën e 53-të. Gjashtë minuta më vonë, United barazoi me Martinezin që shënoi me kokë.

Por, festën e madhe Arsenalit ia dha edhe një herë tjetër Nketiah me golin e minutës së 90-të.

Arsenali me këtë triumf shkon në kuotën e 50 pikëve në vendin e parë. Man United ka 39 pikë në vendin e katërt.