Arteta kishte synuar transferimin e Xhakës sa ishte ndihmës trajner te Manchester City

Mikel Arteta ka shprehur admirmin që ka për mesfushorin Granit Xhaka, duke zbuluar se ka qenë i interesuar për transferimin e tij te Manchester City, kur filloi punën si ndihmës i Pep Guardiolas.

E ardhmja e Xhakës te Arsenal duket e zymtë, pas reagimit të tij kundër tifozëve në ndeshjen me Crystal Palace në ‘Emirates Stadium’.

Por, me më pak se një javë deri sa të rihapet afati kalimtar i janarit, Arteta i ka dhënë shpresë Xhakës, se mund të ketë të ardhme në klub.

“Si lojtar, kur unë po shkoja nga Arsenal te City për të filluar stërvitjen dhe ne po kërkonim në atë pozitë, ai ishte në listën time. Kjo tregon se sa shumë e pëlqej atë”, ka deklaruar Arteta.

“Isha i lumtur kur Arsenal nënshkroi me atë sepse mendova se do të bëhej një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai ka bërë disa gjëra shumë të mira dhe tani është mbërthyer në një situatë shumë të vështirë, mendoj se, ishte në rritje, rritje, rritje dhe një ditë shpërtheu”.

“Por edhe unë jam mahnitur nga mënyra se si kjo lidhje po fillon të kthehet dhe mendoj se tifozët kanë qenë shumë pozitivë edhe për të”.