Asociacioni i komunave me shumicë serbe i papranueshëm në secilin variant

Deklaratë e Lëvizjes për Bashkim

Situata më e re e krijuar në veriun e Kosovës është pa dyshim rrjedhojë e çështjeve të mbetura të pazgjidhura në mes Kosovës dhe Serbisë pas
shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Problemi i targave u përdor vetëm si shkas për shpërfaqjen e kësaj çështjeje të pazgjidhur. Sado që kujdesshëm po e fsheh kryeministri Albin Kurti, faktori ndërkombëtar është duke bërë presion mbi qeverinë e Kosovës për zbatim të asociacionit, si hap i parë drejt diskutimeve serioze për planin franko-gjerman.

Është më se e dukshme se Albin Kurti e refuzon kategorikisht çfarëdo asociacioni mbi baza etnike. Këtë kundërshtim të asociacionit Lëvizja
për Bashkim e mbështet pa asnjë rezervë, edhe pse është e vetëdijshme për arsyet elektorale të këtij kundërshtimi nga ana e Albin Kurtit.

Ky kundërshtim mund të kthehet në bumerang nëse nuk pasohet shpejt me një platformë të qartë për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të
mbetura të pazgjidhura me Serbinë. Kosova duhet të ketë platformë shtetërore (të diskutuar në baza kombëtare) për t’iu dhënë fund këtyre çështjeve të pazgjidhura, e jo të qëndrojë në pozita mbrojtëse, sepse në vazhdimësi do të përballet me tensione nga brenda e presione nga jashtë.

Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 9.11.2022