Asociacioni, kushti i ri për heqjen e sanksioneve të Kosovës

Bashkimi Evropian ka modifikuar kushtet për heqjen e masave ndaj Kosovës. Nga 4 kushtet e bëra publike më 10 korrik 2023 ku flitej për de-eskalim, ata tashmë e kanë shtuar edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kombinim. Këtë e ka konfirmuar dje presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von Der Leyen, e cila ka vizituar Kosovën vetëm 3 ditë pas deklaratës Scholz, Macron, Meloni, ku Kosovës i kërkohet Asociacioni e Serbisë njohja de-facto.

Për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës në Veri të Kosovës, Bashkimi Evropian më 28 qershor kishte njoftuar institucionet e Kosovës për masat e vendosura. Heqja e tyre ishte kushtëzuar përmes një plani evropian 4 pikësh për de-eskalim.

Në të përfshihej shprehja e gatishmërisë nga Kosova për shtensionim të situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të çojë në eskalim. Këtu përfshihej edhe reduktim i menjëhershëm për 25 % i pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale në Veri. Në pikën e dytë thuhej që Policia e Kosovës kryen vlerësime të sigurisë bashkë me KFOR dhe EULEX, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Në pikën e parafundit thuhej që Qeveria e Kosovës shprehet publikisht në mbështetje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në Veri dhe përkushtohet që të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e tyre. Pas kësaj BE potenconte se do të ftoj në Bruksel kryenegociatorët për finalizimin e planit të sekuencimit, pas secilit do të fillojë zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjeve.

Qeveria e Kosovës ishte vënë në lëvizje pas këtyre kushteve të BE-së për de-eskalim, duke reduktuar numrin e policëve dhe duke hartuar një udhëzim administrative për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në Veri dhe organizimin e peticioneve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Pavarësisht këtyre, BE konsideronte se ende s’janë plotësuar kërkesat plotësisht për de-eskalim. Këtyre veprimeve i kishte paraprirë një udhëtim i Kryenegociatorit Besnik Bislimi në Bratisllavë të Sllovakisë ku kishte takuar Emisarin Miroslav Lajcak.

Sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator dhe fokusimi tek aspekti i sigurisë, i ka lënë nën hije këto çështje për një kohë.

Banjska megjithatë s’ka pasur ndonjë efekt të madh në procesin e negociatave. Kosova vazhdon të jetë nën masa të BE-së, ndërkohë që kushti për heqjen e tyre tashmë është reduktuar në një pikë të vetme, atë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë e ka thënë gjatë shefja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, pas takimit që ka pasur dje me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin dhe kryeminsitrin Albin Kurti. E pyetur për masat, Von Der Leyen ka përmendur draft-statutin për Asociacionin që pesëshja ia kanë dorëzuar Kosovës dhe Serbisë. Politikania gjermane ka thënë se Asociacioni është çështje vendimtare dhe ia hap dyert Kosovës në qasjen për planin 30 miliardhësh të BE’së për zhvillimin.

“Kjo është ajo që unë dhe Presidentja kemi biseduar dhe natyrisht që kemi biseduar edhe me Kryeministrin se çfarë mund të bëhet që masat të tërhiqen dhe këtu e kemi edhe atë temën e një draft-statuti për diskutime. Kjo që e them është shumë teknike, por është një hap shumë i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është vendimtare dhe natyrisht do t’i hapë dyert për qasjen në planin e rritjes. Jemi duke punuar në këtë. Kjo është diçka që këtu të dyja palët duhet t’i ndërmarrin të gjitha hapat e duhur, është vendimtare që të mos ketë eskalim por edhe të ecim drejtë Bashkimit Evropian”, ka thënë të hënën në Prishtinë shefja e KE, Ursula von der Leyen.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, javën që lamë pas kanë takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Sholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Në takim kanë qenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell dhe emisari Miroslav Lajcak.

Pas takimit, Kurti dhe Vuçiq kanë deklaruar se kanë pranuar propozimin evropian për Asociacionin, megjithatë Borell ka thënë se asnjëri s’kanë qenë në gjendje ta pranojnë atë pa vendosur parakushte, të cilat kanë qenë të papranueshme për palën tjetër.

Ndërkohë Macron, Scholz dhe Meloni kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët, ku kanë kërkuar nga Kosova që të nis me themelimin e Asociacionit sipas propozimit evropian dhe që Serbia ta japë njohjen de-facto për Kosovën. Treshja evropianë kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kapërcejnë dallimet në detaje dhe të lëvizin urgjentisht drejt progresit në negociata. /GazetaExpress