Avokati i Popullit është duke e analizuar vendimin për kufizimin e lëvizjes

Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme ka publikuar masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në tërë Kosovën.

Me këtë vendim, qytetarët do të kenë mundësi të dalin vetëm 90 minuta brenda ditës, shkruan Insajderi.

Mirëpo, ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë, ka ngjallur reagime të shumta.

Por, a ka bazë ligjore që ky vendim të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se nuk mund të bëjë një vlerësim rreth kësaj çështje pa pasë ndonjë kërkesë që ky vendim po kundërshtohet.

Por, ka thënë se pavarësisht kësaj janë duke e analizuar këtë vendim, duke shtuar se e kanë paramenduar se mund të zgjojë interesim publik.

“Nuk mundem me marr vlersim si instiucion në parim pa e pas një kërkesë e cila na obligon neve me dhënë një vlersim apriori. Ne jemi duke u marrë me analizat për momentin, sepse e kemi paramendu se mund të zgjojë një interesim publik, kam kërkuar nga bashkëpunëtoret e mi që të bëjnë një analizë për këtë dhe të shohin ndikimin e këtij vendimi a ëstë në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese mirëpo edhe me frymën e saj”, ka thënë Jashari për Insajderin.

Duke shpjeguar situatën e këtij vendimi, Jashari, ka deklaruar se ky është rast i veçantë pasi që këtu bëhet fjalë për një vendim të ministrisë e që siç thotë ai Kushtetuta nuk e autorizon Avokatin e Popullit në këso lloj situata.

“Do të vlerësohet nëse, sepse është një dallim në dispozitat kushtetuese që e autorizon Avokatin e Popullit se në cilat rrethana specifike flet për Qeverinë sepse bëhet fjalë realisht për vendimet dhe dekretin e kryeministrit, mirëpo në këtë rast kemi të bëjmë me një vendim të ministrisë që Kushtetuta nuk e autorizon Avokatin e Popullit për këso situata, mirëpo jemi në analizë të kësaj pune, kështuqë jemi duke bërë një vlersim me kolegët dhe pastaj të shohim”, ka pohuar Jashari për Insajderin.

Ai thotë se është skeptik pasi që deklaron se Kushetuta e përmend në rrethana Specifike se në cilat situata Avokati i Popullit mund të kërkojë interpretim.

“Por, jam pak skeptik personalisht për shkak të këtij kufizimi që Kushtetuta i jep ose Kushtetuta siç thash e përmend në rrethana specifike se në cilat situata Avokati i Popullit mundet me kërku interpretim të Gjykatës Kushtetuese edhe vendimet e minestrit nuk janë përmend në Kushtetutë si rrethana se kur Avokati i Popullit kish mujt me inicu një rast në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai, për Insajderin.

Jashari, ka deklaruar se i gjithë ky vendim duhet të trajtohet në frymën e Gjykatës Kushtetuese ashtu siç bëri kjo e fundit para disa ditëve për masa të tilla.

“Ndërkohë që krejt kjo besoj që do të duhej të trajtohej në frymën e gjykimit të Gjykatës Kushtetuese që bëri para disa ditëve pikërisht për masa të tilla edhe gjithashtu Kuvendi i Kosovës ka pas një kohë në dispozicion me muajt me harmonizuar vendimin e Qeverisë me një bazë ligjore për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet vendi dhe bota për shkak të pandemisë”, ka thënë ai.

Për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesor Enver Hasani, ka thënë se është në kundërshtim të plotë me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e saj.

Në një prononcim për Insajderin, Hasani ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, nuk guxon në asnjë mënyrë të marrë vendime të tilla, pasi është shpallje efektive e gjendjes së jashtëzakonshme, gjë e cila nuk mund të bëhet me vendim të MSh-së.

“Kjo do të thotë është tërësisht anti kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë jashtëzakonisht të qartë që Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut për aq sa ka autorizime ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Do të thotë këta mund ti fusin në karantinë persona dhe hapësira të cilat janë të infektuara, një nga një, komuna, hapësira, lagje të caktuara, e tjera”, tha Hasani.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët nga e mërkura do të lëvizin vetëm një orë e gjysmë brenda ditës dhe atë në bazë të numrit të parafundit personal. Po ashtu janë paraparë edhe dënime të ashpra për ata që nuk i zbatojnë këto masa