Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot mjaft i nxehtë dhe me rreze diellore. Pasdite vonë dhe në mbrëmje në pjesën veriore, verilindore dhe pjesërisht edhe në qendër dhe veriperëndim priten zhvillime të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Në jug dhe lindje të vendit sipas parashikimeve pritet të mbetet mot pa reshje.

Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Vetëm në skajin verior të Shqipërisë mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në Mal të Zi pas një dite të nxehtë pasdite sot pritet destabilizim i fuqishëm i motit me rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të hënën në tërë rajonin pritet mot i ndryshueshëm dhe i nxehtë. Do të kemi intervale kohore me diell dhe vende-vende edhe zhvillime të vranësirave të cilat do të sjellin rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të martën pas një paraditeje me intervale kohore me diell, pasdite pritet destabilizim i fuqishëm i motit në rajonin tonë. Priten zhvillime të fuqishme të vranësirave të cilat do të sjellin reshje shiu si dhe rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Temperaturat pritet të shënojnë ulje të lehta./Meteoballkan