Avokati i Veselit, Emmerson: UÇK nuk kishte kurrë një organizim të mirëfilltë komandues, e konfirmoi edhe ICTY

Mbrojtja e Kadri Veselit e ka sfiduar edhe një herë prokurorinë me vendime të Tribunalit për ish-Jugosllavi.

Ben Emmerson, avokat i zotri Veselit, foli rreth akuzës për përgjegjësi komanduese në UÇK që Prokuroria e Specializuar e pretendon në aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së, transmeton klankosova.tv.

Emmerson ia rikujtoi prokurorit Alan Tieger, se sa ishte edhe ai vet prokuror në ICTY, International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia, (Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë), aty nuk kishte akuzë për përgjegjësinë komanduese kundër Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare nuk kishte arritur asnjëherë formësimin e saj si një organizatë ushtarake siç po e prezanton ZPS-ja.

Gjatë fjalës së tij, Emmerson theksoi se deri në fillimin e bombardimit të NATO-së, gjë që e kishte ndryshuar tërësisht situatën në Kosovë, UÇK kishte kaluar nëpër faza të ndryshme të organizimit.

Por, ka thënë ai, asnjëherë në atë nivel sa që të konsiderohet një organizim i mirëfilltë me një zinxhir të qartë komandues.