Avokati u përgjigjet fjalëve të prokurorit Smith se Thaçi mund të dënohet me burgim të përjetshëm

David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi, e ka komentuar paralajmërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Hagës, Jack Smith, se ish-drejtori politik i UÇK-së mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Në një kërkesë parashtruar Gjykatës Speciale për lirimin me kusht të Thaçit, avokati britanik e ka përmendur edhe paralajmërimin e Smithit për burgim të përjetshëm. Ai ka thënë se kjo është e gabuar dhe se është përdorur vetëm si mjet për ta arsyetuar paraburgimin, raporton Gazeta Express.

“Thirrja e ZPS-së për seriozitetin e akuzave “të cilat mund të sjellin një dënim me burgim të përjetshëm” pasi krijon një “nxitje të fortë për të mos u gjykuar”, është e gabuar. Kjo do të lejonte ZPS-në ta justifikonte paraburgimin duke ngarkuar seriozisht krimet pavarësisht nga aftësia e saj për të provuar përfundimisht kryerjen e tyre. Pritja e një dënimi të gjatë nuk mund të qëndrojë kundër një të akuzuari ‘in abstracto’, duke pasur parasysh që të gjithë të akuzuarit para DHSK-së, nëse dënohen, ka të ngjarë të përballen me dënime të gjata. As graviteti i veprave penale, në vetvete, nuk mund të justifikojë periudha të gjata të ndalimit ose paraburgimit”, thuhet në kërkesën e Hooper për lirimin me kusht të Thaçit.

“Përderisa të dhëna të caktuara dhe të përgjithshme në lidhje me aktakuzën e dorëzuar dhe të pakonfirmuar janë publikuar, ndjenja nxitëse e z.Thaçi për t’u arratisur, për t’i penguar procedurat dhe për të kryer krime të mëtutjeshme do të rritet drastikisht posa ai të informohet për aktakuzën e konfirmuar dhe për hollësitë e akuzave të konfirmuara, të cilat mund të sjellin dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet në dokumentin që Jack Smith ia kishte dërguar gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou.

Kërkesa e kryeprokurorit Jack Smith për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Thaçit
Në këtë kërkesë vërehej insistimi i kryeprokurorit të Speciales për arrestimin dhe paraburgosjen e Thaçit, ashtu sikur tash që Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon mbajtjen e tij në Hagë, duke kundërshtuar lirimin me kusht dhe mbrojtjen në liri të ish-presidentit.