Avokatja e Jakup Krasniqit: Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka thënë se ajo që ka prezantuar prokuroria kundër klientit të saj nuk ka të bëjë asgjë me të.

“Aktivitetet nuk mund të lidhen me asnjë krim që prokuroria pretendon se ka kryer Krasniqi. Krasniqi nuk kishte kompetenca që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Aktakuza pretendon se Krasniqi ka marrë pjesë në krime në tri raste. Provat do ta tregojnë të kundërtën”, ka theksuar ajo, njofton KlanKosova.tv.

Duke vazhduar argumentimin e saj, avokatja ka thënë se prokuroria mbivlerëson organizimin e UÇK-së, duke thënë se ka qenë më e organizuar sesa që ka qenë.

“Kjo ishte një fantazi. Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së, duke nxjerr dokumente nga çka ka qenë situata në terren. UÇK nuk e kishte strukturën e një ushtrie”

Më tej Alagendra ka treguar periudhat në të cilat gjatë vitit 1999 Jakup Krasniqi nuk ka qenë në Kosovë.

“Gjatë muajit shkurt ai ka qenë në Rambuje për negociata, më pastaj është kthyer në mars dhe nga prilli deri më 15 qershor, për tre muaj ka qëndruar në Shqipëri, pavarësisht periudhës së shkurtër që bëri një turne nëpër vendet perëndimore. Distanca fizike ka qenë e madhe”.