Nagavci: Mësimdhënëset shtatzëna do të zëvendësohen me studentët e Fakultetit të Edukimit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se mësimdhënëset shtatzëna do të zëvendësohen nga studentët e Fakultetit të Edukimit.

Nagavci ka thënë se në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit do të mundësojnë që procesi mësimor të zhvillohet pa pengesa.

“Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentë të nivelit master dhe apsolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna, numër ky i raportuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit”, ka shkruar Nagavci.

Postimi i plotë:

Bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit do të mundësojë që procesi mësimor në shkollat tona të zhvillohet pa pengesa.

Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentë të nivelit master dhe apsolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna, numër ky i raportuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Të dhënat me listat e studentëve tashmë janë përcjellur në DKA, bashkë me informatën për këtë mbështetje profesionale në mbulimin e lëndëve të ndryshme mësimore, aty ku paraqitet nevoja.

Ky angazhim, studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim me mësimdhënëset përkatëse (shtatzënë) që eventualisht do të shfrytëzojnë të drejtën e lirimit nga prezenca e tyre fizike në shkollë. Mësimdhënëset përmes komunikimit në distancë, në vazhdimësi do të jenë në kontakt me studenten apo studentin e caktuar, nxënësit dhe shkollën.

Mirënjohëse për gatishmërinë për kontribut nga ana e dekanit të FE, Blerim Saqipi dhe falenderuese paraprakisht për punën e studentëve dhe bashkëpunimin me mësimdhënëset dhe shkollat!