Babai i bëhet shef: Djali i koordinatorit në KOSTT e fiton punën e re

Gjatë muajit prill, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, kishte hapur një konkurs.

Aty kërkohej një administrator për sistemin SCADA.

KTV-ja mëson se këtë pozitë e ka zënë Besfort Syla, djali i Sadri Sylës, koordinator për SCADA.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Sadri Syla.

Ai ka pranuar që i biri i tij tash është administrator për SCADA në KOSTT dhe se shef do ta ketë pikërisht babanë.

Mirëpo, ka thënë që vendin e ka zënë me meritë dhe pa asnjë ndërhyrje.

Edhe në KOSTT kanë konfirmuar që pozitën e Administratorit për sistemin SCADA e ka zënë Besfort Syla.

Mirëpo, e gjithë kjo, sipas tyre, ishte në përputhje me ligjet në fuqi.

“Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve, sipas vendimit me numër 663, të datës 26.04.2019, pas përfundimit të të gjitha proceduarave për zhvillimin e konkursit dhe konform udhëzimit administrativ të cekur më lart, ka nxjerrë vendimin për përzgjedhjen e kandidatit më të suksesshëm Besfort Syla, për pozitën Specialist/Administrator i Sistemit SCAD/EMS”.

Më tutje, ata kanë shtuar se nuk kanë pranuar ankesa lidhur me ndërhyrjet në konkurs.

E në ueb-faqen zyrtare të KOSTT-it nuk figuron asnjë nga konkurset e publikuara nga kjo kompani.

Televizioni, në bisedat e mëparshme me zyrtarë të KOSTT-it, ka kuptuar që konkurset e shpallura nga kjo kompani fshihen menjëherë pas përfundimit.