Banorët e “Emshirit” kujtojnë dhunën që serbët kishin ushtruar ndaj shqiptarëve (video)

Banorët kujtojnë akoma dhunën që serbët kishin ushtruar ndaj popullatës shqiptare në “Emshir”

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, lagjja “Emshir” në Prishtinë ka ndryshuar.

Por ajo që kishte ndodhur aty gjatë asaj periudhe kohore, mbetet akoma e freskët për banorët e saj, raporton T7.

Madje Ahmet Mekolli kishte përjetuar çdo ditë të luftës nga ky vend, pasi nuk ishte larguar nga aty asnjëherë.

E kishte momente kur Mekolli pendohej për zgjidhjen e tij që të qëndronte në lagje, pasi që dhuna nga serbët, ndihej vazhdimisht.

Pasojat ndoshta do të ishin edhe më të mëdha, po të mos paraqiteshin në ato momente ndërkombëtarët.

Njëjtë shprehet edhe Beqir Igrishta të cilin serbët e rrahën pikërisht në shtëpinë e tij. Madje edhe ai shprehet se pa ndërhyrje të ndërkombëtare, pasojat mund të ishin edhe më të mëdha.

Rastet e tilla ku serbët terrorizonin banorët nuk ishin të rralla.

Ndonëse nuk kujtojnë ndonjë emër të policëve serbë, shprehet i kënaqur kryesit e këtyre krimeve sillen para drejtësië.

E pikërisht për krimet ndaj popullatës civile gjatë luftës në këtë lagje, është arrestuar një serb nga Policia e Kosovës.

Ai është kapur një ditë më parë në Merdare.

Bëhet fjalë për Nenad Arsiq, të cilit me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Gjykata ia ka caktuar një muaj paraburgim.

I dyshuari është shtetas i Serbisë, ndërsa ndaj vendimit të Gjykatës ai ka të drejtë ankese në Apel.