Baraliu: Zgjedhjet në veri janë test, nëse dalin mbi 51% i bie se Beogradi dhe Lista Serbe kanë ende ndikim në veri

Ndërkohë, ish-kreu i KQZ-së dhe njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu në një prononcim për FrontOnline e ka konsideruar si test mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Ai konsideron se kanë ndryshuar rrethanat dhe se disponimi nuk është sikurse zgjedhjeve të fundit.

‘’Nuk dihet, nuk ka ndonjë barometër se si do të shkoj ajo punë, sepse kanë ndryshuar rrethanat, si duket edhe disponimi i gjendjes paraprake i zgjedhjeve të fundit, kur Lista Serbe, me terrore, presione, blerje të votave ka bërë që pjesa dërrmuese me 80-90% i qytetarëve të dalin në zgjedhje atje dhe kësaj here është më vështirë sepse konfiguracioni ka ndryshuar, por të shohim’’, shprehet ai për Front Online.

Për Baraliun këto zgjedhje do të tregojnë se sa ka arritur Qeveria Kosovës që ta bindë popullatën e asaj pjese për integrim dhe cili do të ishte roli i Listës Serbe dhe Beogradit në atë pjesë pas këtyre zgjedhjeve.

‘’Nëse dalin 50+1% i bie se Lista Serbe dhe Beogradi kanë akoma ndikim atje dhe ky është dështim i Qeverisë dhe institucioneve tona pasi nuk kanë arritur ta bindin popullatën atje që ata duhet të integrohen dhe t’i besojnë institucioneve e sidomos pas gjithë atyre akteve dhe atyre gjërave që Serbia bëri në Veri. Ky është testi, sepse atje asnjëherë nuk ka pasur zgjedhje të lira e as demokratike, ka pasur abuzim dhe pas këtij testi do të shihet se kah po shkon ajo pjesë e vendit dhe sa po ka efekt ndërhyrja brutale dhe destruktive e Serbisë në atë pjesë të vendit’’ u shpreh Baraliu për Front Online.

FrontOnline ka provuar të merr përgjigje edhe nga kryetari i Mitrovicës Jugore, Zveçanit dhe ai i Leposaviqit, por që të tre nuk janë përgjigjur në thirrjet telefonike e as mesazhet e dërguara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën me 44 Qendra të Votimit për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Sipas listës së miratuar nga KQZ, e cila përfshin të dhënat e detajuara për vendndodhjen e saktë të tyre, numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 18, në Zubin Potok 12, në Zveçan 7 dhe në Mitrovicën e Veriut 7.

Kësaj here, ndryshe nga viti i kaluar, procesi i votimit do të mbahet nëpër shkolla.