Bashkimi Evropian jep detaje nga darka e Mogherinit me liderët e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian ka dhënë detajet e para rreth asaj se çfarë është diskutuar në darkën e thirrur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politika të jashtme dhe sigur, Frederika Mogherini me liderët e Ballkanit.

Sipas një komunikate për medie, nga Bashkimi Evropian thuhet se Mohgerini bashkë me liderët e Ballkanit kanë shkëmbyer qëndrime e tyre për marrëdhëniet mes BE-së dhe rajonit.

“Ata shfaqën zhgënjimin rreth vendimit të Këshillit Evropian për të mos hapur negociatat për anëtarësim me Maqedoninë Veriore dhe me Shqipërinë si dhe u pajtuan se integrimi evropian i vendeve të Ballkanit vazhdon të jetë objektivi kryesor strategjik, si interes i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i rajonit”, thuhet në komunikatë.

Pjesëmarrësit e takimit kanë folur edhe për sfidat e radhës së BE-së.

“Partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan edhe njëherë përkushtimin e tyre të fortë ndaj perspektivës së BE-së, për reformat që ajo sjell, para së gjithash për përfitimin e qytetarëve të tyre, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Në këtë darkë ishin të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai Malit të Zi Millo Gjukanoviq në njërën anë ndërsa në krahun tjetër presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe anëtarët e Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, kroati Zhelko Komshiq, serbi Millorad Dodik dhe boshnjaku Shefik Xhaferoviq.

Ndonëse ishte e konfirmuar, në takim mungoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, arsyet e mungesës së të cilit ende nuk janë bërë të ditura.