Bashkimi kombëtar një e drejtë e padiskutueshme, por si të realizohet

Presidenti Hashim Thaçi në fjalorin e tij, çdo ditë e më shumë po e përmend bashkimin me Shqipërinë, sidomos si kundërpërgjigje për vonesën e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo shihet në mënyra të ndryshme nga analistët dhe nga politikanë, që vetë e kanë në program bashkimin kombëtar. Avni Klinaku, nga Lëvizja për Bashkim, thotë se para kësaj teme, duhet të zgjidhet problem i veriut dhe i Luginës së Preshevës.

Vjen nga një subjekt që në vazhdimësi e ka kërkuar bashkimin kombëtar, po idenë e presidentit Hashim Thaçi, e sheh si të pafavorshme në situatën në të cilën ndodhet Kosova. Avni Klinaku, nga Lëvizja për Bashkim, thotë se bashkimi kombëtar është e drejtë e padiskutueshme dhe legjitime, në kuptimin e një aspirate shekullore të një populli për rregullimin e një padrejtësie që i është bërë. Por, aktualisht, sipas tij, Kosova problemin kryesor e ka zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura me Serbinë, përkatësisht veriun e vendit dhe çështjen e Luginës së Preshevës, që Klinaku i referohet si Kosova Lindore.

“Në qoftë se zgjidhet si duhet problem i veriut dhe i Kosovës Lindore, atëherë mundësia e referendumit, mundësia e bashkimit, hapet vetvetiu. I takon popullit atëherë a dëshiron apo jo. Por, sot, hapet vetëm për shkak të debateve politike dhe ikjes nga temat aktuale”, thotë Klinaku për Radio Kosovën.

Deklaratat e presidentit Thaçi për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, politologu Ramush Tahiri i sheh si të drejta. Por, i konsideron të parealizueshme.

“Deklaratat e tilla, nuk janë të realizueshme, sepse bashkimi apo ndarja e shteteve bëhet me marrëveshje dhe me bashkëpunim, por edhe me miratim ndërkombëtar”, thotë Tahiri për Radio Kosovën.

Presidenti Thaçi ditë më parë tha se i takon Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë të vendosin për këtë.

“Po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, të nxjerrin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë, që të jetojnë në një shtet të përbashkët, pa kufij”, ka thënë Thaçi.

Tahiri thotë se është në vullnetin e deputetëve nëse miratojnë një deklaratë të tillë çfarë ka përmendur presidenti, por kujton që Kosova me Kushtetutë nuk e ka të paraparë bashkimin me shtete të tjera apo dhënien e territorit. Por, si ide, Tahiri, nuk e sheh të rrezikshme.

“Kjo si ide përndryshe, nuk duhet të shihet si rrezik, sepse nëse Çekia dhe Sllovakia janë ndarë me vullnet, shtetet mund të bashkohen me vullnet. Dhe format e bashkimit i përcaktojnë vetë parlamentet e shteteve, kështu që është në dorën e vetë parlamentit”, tha Tahiri.

Tahiri thekson se idetë e tilla në opinion po anatemohen dhe nuk po lejohet të debatohet, por ai tha se këto janë programe politike që realizohen me mjete paqësore dhe që nuk bëhen kundër interesave të të tjerëve, por synojnë paqen dhe stabilitetin. Sidoqoftë, sipas tij, Shqipëria dhe Kosova duhet t’i relativizojnë kufijtë dhe të synojnë kështu integrimin, sepse është një hapësirë gjeografike dhe një kulturë dhe do t’i ndihmonin njëra-tjetrës edhe si ekonomi.