BE deklarohet për herë të parë në 2020 rreth liberalizimit të vizave për Kosovën

0
431

Zëdhënësja e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Kocijancic, ka thënë se u mbetetet shteteve anëtare të Këshillit Europian që të marrin vendimin për heqjen e vizave për Kosovën, teksa ka shtuar se duhet të ecet përpara sa i përket kësaj çështje.

Në një përgjigje për Gazetën Metro, Kocijancic ka konfirmuar edhe një herë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian (BE), për heqjen e vizave.

“Komisioni Europian ka konfirmuar në korrik të vitit 2018 se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo.

Tutje, Zëdhënënsja e BE’së ka deklaruar se tashmë u mbetet shteteve anëtare të Këshillit të Europës që të vendosin përfundimisht për heqjen e vizave.

Teksa, në fund thekson se çështja e heqjes së vizave për Kosovën, duhet të ecë përpara.

“Pas votimit në Parlamentin Europian, tani iu mbetet shteteve anëtare të Këshillit që të marrin vendimin përfundimtar për heqjen e vizave për Kosovën. Ne i inkuarojmë të gjitha këto shtete që të ecin përpara për çështjen e vendit”, është deklaruar Kocijancic për Metron.

Kujtojmë se kosovarët tashmë 10 vite janë në pritje që të lëvizin lirshëm në vendet e Zonës Shengen, sidoqoftë, Qeveritë e njëpasnjëshme të kësaj dekade dështuan t’i bindin plotësisht vendet e BE’së se i kanë plotësuar të gjitha kriteret.

Në anën tjetër, edhe nga Unioni vazhdimisht është thënë se Kosova i ka përmbushur kushtet, mirëpo që i mbetet ende të bëj punë në luftimin e korrupsionit, si një dukuri në rritje në vend.

Ndërkaq, Këshilli i BE’së pritet që shumë shpejt gjatë këtij viti të mbajë mbledhjen e radhës, kurse mbetet të shihet se a do të jetë Kosova pjesë e agjendes së tyre ose jo.