BE-ja i bën thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për bojkotimin e votimit në veri dhe regjistrimin e popullsisë

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndërsa ka shprehur gjithashtu keqardhje edhe për thirrjen e këtij subjekti politik që serbët të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

“Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve”, u shpreh BE-ja.

Në një përgjigje dërguar mediave të hënën, blloku evropian ka konsideruar se është kyçe që të zhvillohen zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ndërsa e cilësoi “urgjente” pjesëmarrjen aktive të serbëve në insitucionet kosovare, posaçërisht në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri.

“Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim. Është imperative që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësorë në veri të Kosovës”.

BE-ja theksoi gjithashtu se është për keqardhje thirrja e Listës Serbe që serbët në Kosovë të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë – ngjarja më e rëndësishme statistikore e vendit – që filloi më 5 prill dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj.

“Sigurimi i të dhënave më të reja për popullsinë ka rëndësi të veçantë pasi nuk është vetëm për të siguruar shpërndarjen e drejtë të mjeteve për komunat, por edhe për të ndihmuar në marrjen e informuar të vendimeve politike, planifikimet për shërbimet publike dhe adresimin e nevojave të ndryshme të grupeve të ndryshme demografike brenda popullatës”.

BE-ja ndër të tjera ka inkurajuar qytetarët që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, ndërkaq u ka bërë po ashtu thirrje institucioneve të Kosovës që të intensifikojnë fushatat informuese për të gjithë banorët, në mënyrë që të gjithë të kenë informacione të mjaftueshme për këtë proces.

Lini një Përgjigje