BE: Nesër Kosova e Serbia dialogojnë për prona dhe financa

Të enjten grupi punues i dialogut të Kosovës do të takohet me atë të Serbisë në Bruksel.

Grupi punues i Kosovës dhe ai i Serbisë do të takohen të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut.

Mirëpo përveç takimit të nesërm të grupit të ekspertëve, në fund të këtij muaji do të ketë edhe takim të liderëve.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

“Përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak njoftoi të hënë e kaluar, pas takimit të nivelit të lartë, se diskutimet në nivel të ekspertëve do të vazhdojnë gjatë kësaj jave dhe se një takim i ri në mes të liderëve do të mbahet në fund të këtij muaji”, ka thënë Stano.

Tutje Stano ka konfirmuar për se në takimin e së enjtes do të diskutohet për çështjet financiare dhe pronësore, duke mos dhënë detaje shtesë pasi që takimi i ekspertëve siç theksoi Stano është proces që po vazhdon.

“Temat që do të bisedohen janë aranzhimet për komunitetin joshumicë dhe zgjidhjen e pretendimeve të përbashkëta për çështje financiare dhe pronësore. Ne nuk komentojmë më shumë lidhur me takimet në nivel ekspertësh, pasi ato janë proces që po vazhdon”, ka deklaruar Stano.

Theksojmë se në lidhje me këtë ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta ndalojnë kryeministrin Avdullah Hoti, që në Bruksel të diskutojë në lidhje me çështjet pronësore.