Bedri Hamza “ndjen dhimbje” për vendimin e Qeverisë Kurti që ul shtesat e pensionistëve

Qeveria Kurti ka vendosur që t’i ulë shtesat e pensionistëve të Kosovës. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti nuk ka dhënë asnjë arsyetimi për një veprim të tillë. E ky vendim, ish-ministrit të Financave, tani deputeti të PDK’së, po i duket ‘për dhimbtë’.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Bedri Hamza ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë Kurti për ulje e shtesave për pensionistët, nga 120 në 100.

Hamza për Periskopin ka thënë se është vendim i keq dhe se pensionet është dashur të rriten e jo të zvogëlohen.

“Kjo është e kundërta e asaj çfarë është dashur të ndodhë, d.m.th [shtesat për] pensione është dashur që të rriten, jo me u zvogëlu, se nëse ka kategori në Kosovë, e cila është në nevojë dhe në përkrahje janë sidomos mosha e vjetër dhe kjo është një diçka e keqe, jo e duhura dhe realisht, ne sigurisht që nuk pajtohemi”, ka thënë ai për Periskopin.

Ish-ministri i Financave bëri thirrje që me urgjencë të dërgohet në Kuvend legjislacioni që e rregullon statusin e pensionistëve.

“Ne vlerësojmë që shtresa e kategorisë së pensionistëve duhet të jenë të përkrahur dhe me urgjencë duhet të sillet legjislacioni që e rregullon dhe e përmirëson statusin e tyre në shoqëri”, tha ai.

Hamza kritikoi Qeverinë Kurti edhe për mungesë të plan-programit, i cili deri më tani nuk është shpalosur nga ekzekutivi në krye me Albin Kurtin.

“Kjo qeveri ende nuk ka plan, ende nuk na ka treguar se cilët janë prioritete e saj”, shtoi ai.

Vendimi për heqjen e shtesave, u prit me shumë reagime nga opozita të cilët e kundërshtuan ashpër si dhe nga pensionistët në vend.