BE’ja mirëpret çdo iniciativë të SHBA’së në dialogun Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian e ka të pamundur përfundimin e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa ndihmën dhe prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BE’ja siç është parë edhe ndër vite, nuk ka mundur të përfundojë edhe probleme tjera mes shteteve të ndryshme të Evropës, tani ajo që disa vite po merret me çështjen e Kosovës.

Se prezenca dhe garancia e SHBA’së i duhet patjetër BE’së në dialogun Kosovë-Serbi, e ka vërtetuar edhe zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.

Stano thotë se mirëpresin iniciativat në përkrahje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe thekson se për dialogun Kosovë-Serbi kanë bashkëpunim me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se Washingtoni e Brukseli kanë të njëjtat qëllime për rajonin.

“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për t’u pajtuar për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, ne mirëpresim të gjithë iniciativat në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Për BE’në, SHBA’ja është një partner i rëndësishëm. Ne kemi të njëjtat synime për rajonin, dhe mbështetja e SHBA’së që ofrohet për dialogun e lehtësuar nga BE është e mirëseardhur dhe ne komunikojmë me partnerët tonë nga SHBA gjithashtu edhe për këtë çështje”, ka thënë Stano për Express.

Kujtojmë se pas disa takimeve në Evropë të Koordinatorit për Dialog, Skender Hyseni, ai gjatë të hënës ka qëndruar edhe për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Washington ai është takuar me Përfaqësuesin Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Por, Palmer, sipas fjalëve të Hysenit, nuk ka thënë se SHBA do të jetë formalisht pjesë e bisedimeve por do t’i qëndrojë afër Kosovës.