Berisha flet pas rezultatit: Basha ‘kufomë politike’, Rama mos ta mbrojë

Në përfundim të shpalljes së rezultatit të votimit në Kuvendin Kombëtar të PD, ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar “Bashën kufomë politike”.

Berisha tha se tashmë vendit do t’i rikthehet pluralizmi politik dhe do të jetë “pa opozitë kukull” ndërsa vendimin e Kuvendit, e cilësoi “ngjarjen më të jashtëzakonshme e lirisë së shqiptarëve”.

I pyet nëse i druhet ndonjë vendimi për përjashtim nga partia në mbledhjen e Kryesisë së thirrur nga Basha, Berisha tha se nuk do të donte të fliste fare për kryetarin e shkarkuar.

Lidhur me mundësinë e marrjes së selisë së partisë pas shkarkimit nga Kuvendi, Berisha tha se “do të shkojmë në momentin më të parë që do të vendosim”, shkruan Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk është seli e pengjeve. Ramës i them hiq dorë nga çdolloj përpjekje për t’i garantuar mbijetesë pengut tënd sepse në mënyrë absolute hoqe apo nuk hoqe dorë, ky revolucion do të kthehet te ti. Revolucionit nuk i reziston dot kush”, deklaroi ish-kryeministri.

Në Kuvendin e thirrur nga Berisha, 4446 delegatë kanë votuar për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lulzim Basha.

Pas ndryshimit të Statutit dhe shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë, Kuvendi i thirrur nga Berisha do të mblidhet sërish më 18 dhjetor për të mbajtur referendum.

Në punimet e Kuvendit që zgjatën më shumë se 8 orë morën pjesë mbi 4900 delegatë, ku pati disa qindra prej tyre që nuk morën pjesë në votim, kurse një numër i vogël votoi kundër shkarkimit të Bashës. /Euronews.al/