Bie Goran Rakiq, emërohet kryetari i ri i Listës Serbe

Zllatan Ellek është zgjedhur njëzëri kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë.

Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re.

Lider i Listës Serbe deri më tani ishte Goran Rakiq.

Kush është Zllatan Ellek?

Në maj të vitit 2020, Qeveria e Serbisë emëroi Zllatan Ellekun ushtrues detyre të drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Ky institucion, sikurse institucionet tjera shëndetësore në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, punon në sistemin serb.

Ndërkohë, Elleku mori pjesë në tubimet e organizuara nga Lista Serbe, duke përfshirë edhe atë të 6 nëntorit 2022, një ditë pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.

Ai më pas në fjalimin e tij tha se “ne mbijetuam falë mbështetjes së lidershipit tonë, në radhë të parë presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Së fundmi, ai ka theksuar se për shkak të “terrorit të Kurtit”, institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë po kërcënohen nga “katastrofa humanitare”.

Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk lejojnë importin e barnave dhe materialeve mjekësore, gjë që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka mohuar.

Pse ndryshoi struktura e Listës Serbe?

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Këto ndryshime në lidershipin e partisë po bëhen pas ngjarjeve në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Pesë ditë më vonë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë. Ai është duke u hetuar, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Këto ndryshime pasojnë gatishmërinë e Listës Serbe, të shprehur më 13 tetor, për të marrë pjesë në zgjedhje nën organizimin e institucioneve të Kosovës në komunat në veri, pasi i kishte bojkotuar ato në prill të vitit 2023. Në atë kohë, në katër komuna në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ishin zgjedhur kryetarë shqiptarë.

Zgjedhjet e prillit u mbajtën pas tërheqjes kolektive të zyrtarëve serbë nga institucionet lokale dhe qendrore në nëntor të vitit 2022, për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me riregjistrimin e targave ilegale serbe në ato RKS-Republika e Kosovës.