Bislimi: Nuk e kemi pranuar draftin e Asociacionit – opozita në vijë me Serbinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se Qeveria nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit.

Kryenegociatori Bislimi tha se qeveria vetëm ka pranuar që ai dokument ta shkojë në Kushtetuese.

“Jo, në asnjë rast. Qeveria e Kosovës vetëm ka thënë kështu: Procesi i veprimeve në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit i ka disa faza kur bëhet fjalë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Njëra prej fazave është dakordimi i Qeverisë që një draft ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar Bislimi në një intervistë për RTK-në.

Zëvendëskryeministri akuzoi opozitën e tanishme për deklaratat e tyre rreth Asociacionit. Madje, ai ka thënë se “ka disa shembuj që opozita është në një vijë me Serbinë”.

I pyetur nëse në draftin e dorëzuar nga emisarët përmendet Rezoluta 1244 dhe pse duhej të përmendej ajo, Bislimi është shprehur: “Diku në draft përmendet. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar. E kemi pasur lehtë ndoshta më të lehtë të ballafaqohemi me Vuçiqin, kur kanë thënë se edhe opozita juaj mendon sikurse Serbia, e ju mendoni ndryshe. Pyesni Lajçakun pse na e ka thënë këtë akuzë. Por nëse kjo që po e bëjmë tani, ose na është prezantuar tani, qenka SuperZajdenicë, ku është problemi te Vuçiqi, i cili po thotë se nuk po e dua këtë ‘SuperZajednicë’ por po e dua atë ‘Zajdenicën’ e Isa Mustafës”, ka shtuar Bislimi.