Bislimi: Pala serbe u dakordua që të hapen të gjitha arkivat, edhe ato të UÇK-së

Zëvendëskryeministri i parë për dialog, Besnik Bislimi, ka treguar detaje nga takimet që ka pasë në Bruksel me palën serbe dhe përfaqësuesin evropian për dialog në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Më 7 dhe 8 shtator kemi pasë pesë takime në BE, disa prej tyre bilaterale e disa trilaterale. Të martën kanë qenë tri takime prej të cilave takimi i parë ka qenë mes meje dhe Miroslav Lajçak. Në takimin e parë në dy takimet e radhës kemi diskutuar për çështjet për implementimin e marrëveshjes së energjisë dhe marrëveshjes për targat e veturave. Në takimin e tretë është diskutuar për çështjen e të pagjeturve apo personave të zhdukur me dhunë. Këto takime kanë qenë bilaterale mes palës kosovare dhe përfaqësuesit të BE-së dhe ekipit të tij të ekspertëve”, tha Bislimi.

“Të mërkurën kemi pasë dy takime. Takimi i parë ka qenë bilateral dhe ishte mes meje dhe Miroslav Lajçak. Takimi i dytë ka qenë trilateral – mes meje, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit të Serbisë Petar Petkoviq. Edhe takimi i tretë ka qenë trilateral. Në këtë takim është diskutuar ekskluzivisht për çështjen e personave të zhdukur me dhunë.Në takimin ku u diskutua për çështjet e energjisë ne kemi bërë të qartë se mandati i BE-së është që krahas ndërmjetësimit të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë që trajton çështjet e mbetura mes këtyre dy shteteve është edhe mandati i monitorimit dhe asistmit të implementimit të marrëveshjeve të deritanishme. Ne kemi menduar që temat që kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura më parë diskutohen ekskluzivisht vetëm me BE-në, por jo edhe me Serbinë”, shtoi ai.

Bislimi ka thënë se në takimin e të martës është diskutuar në detaje për çështjen e personave të zhdukur me dhunë.

“Kemi diskutuar për progresin e deritanishëm dhe sfidat që përballemi në trajtimin e kësaj teme. Kjo ishte tema e vetme për të cilën kemi pasë dakordim që të trajtohet edhe në takimin trelateral për shkak të urgjencës dhe nivelit të lartë të sensibilitetit me të cilën përcillet kjo problematikë. Ne kemi evidentuar si problemin kryesor mosgatishmërinë e palëve serbe që të hapë arkivat ushtarake që kanë të bëjnë me divizionin mbi Kosovën dhe joseriozitetin e palës serbe kur kërkon gërmime në Kosovë për arsye se pala serbe ka kërkuar edhe në të kaluarën gërmime të sërishme edhe në lokacionet ku janë kryer gërmime”theksoi zv/kryeministri.

Bislimi tha se pala serbe është pajtuar që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë edhe ato shtetërore të Kosovës.

“Pala serbe të paktën deklarativisht ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat që nënkupton edhe ato shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Mendoj se kjo është në interes tonin, sepse shumica e varrezave masive ku pretendohen se janë mbetjet mortore të 1600 shqiptarëve”,përfundoi ai.