Biznesmenët kineze dhurojnë 2 milionë euro për të prekurit nga tërmeti

Ambasada kineze në Tiranë sqaroi përmes faqes së saj në Twitter se kompanitë kineze kanë dhuruar 2 milionë euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. “Personave në nevojë u janë dërguar gjithashtu ushqime, ujë i pijshëm, batanije e tenda”, thuhet në postimin e saj.

Një ditë më parë, ambasadori kinez në vendin tonë Zhou Ding, i cituar nga ATSH,  kishte deklaruar se Kina do të kontribuojë me vlera monetare, në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në takimin e zhvilluar në Tiranë të Kryeministrit Edi Rama me ambasadorët e huaj, Ambasadori Ding tha se: “dua të rikonfirmoj gatishmërinë tonë për t’ju ndihmuar nga qeveria kineze. Pas shpërthimit të tërmetit, ekipi kinez i kërkim-shpëtimit ishte i gatshëm të vinte, por Kina është pak larg. Nëse keni nevojë ne jemi gati të vijmë”.

“Sa i takon donacionit në para, është duke ardhur, shpresoj të vijnë shpejt nëpërmjet Kryqit të Kuq Kinez”, tha ai, teksa bëri të ditur se dy kompanitë kineze në Shqipëri i kanë dhuruar 2 milionë euro popullit shqiptar.

Ambasada kineze, vijoi ai, do të punojë ngushtësisht me ekipin e ministrit Çuçi. “Nëse keni ndonjë kërkesë ndonjë ide, për çfarë keni nevojë për ndihmën e Kinës do të diskutojmë me hollësi, do të mbajmë kontakte të ngushta. Nëse keni një listë me kërkesa, nevoja për pajisje, logjistikë m’i vini në dijeni”, tha ambasadori Ding.