Borell: Vuçiq dhe Kurti janë pajtuar për planin franko-gjerman

Shefi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në konferencën për shtyp pas takimit trepalësh, ka konfirmuar se në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ka pasur pajtueshmëri për marrëveshjen rreth planit evropian.

Mirëpo, siç specifikoi Borrell, pritet që gjatë marsit, të ketë edhe një takim tjetër i cili do të finalizonte zbatimin e kësaj marrëveshjeje, transmeton FrontOnline.

”Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre sa i përket zbatimit të saj. Kemi një storje të gjatë të marrëveshjes që nuk është realizuar ende, dhe palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që ta vazhdojnë zbatimin e saj”, është shprehur Borrell.

”Ata shprehën gatishmërinë e tyre, për të zbatuar marrëveshjen, por ende nevojiten negociata të tjera për të përcaktuar modalitete të ndryshme të zbatimit. Unë do të thërras edhe një takim tjetër gjatë marsit, me qëllim që të finalizojmë diskutimet për zbatimin e aneksit, që do të udhëzojë fazat e zbatimit”, ka shtuar ai.