Borrell nesër në Kosovë: Takohet me Thaçin e liderë të tjerë politik

Shefi i diplomacisë Europiane, Josep Borrell pritet që të qëndrojë nesër për vizitë në Kosovë, ku do të takohet me Presidentin Hashim Thaçi.

Sipas agjendës në faqen e BE’së, Borrell dhe Thaçi do të takohen rreth orës 14:00 ku më pas, do të dalin me një konferencë të përbashkët për media.

Ai në Prishtinë pritet që të takohet edhe me përfaqësuesit e partive politike në vend, si dhe ata të organizatave të shoqërisë civile.

Ai kishte folur edhe më herët rreth kësaj vizite në Kosovë.

“Mezi po e pres vizitën time të parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor që tregon përkushtimin tonë ndaj perspektivës së BE-së për rajonin, stabilitetin e tij, sigurinë dhe prosperitetin. do të jetë përparësi gjatë mandatit tim dhe duke pasur parasysh vendosmërinë time personale për të avancuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja, kam dashur të vizitoj së pari Kosovën dhe Serbinë në rajon”.

”Ka shumë punë të rëndësishme përpara duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, kishte thënë ai.

Ndryshe, spanjolli pas Prishtinës do të vizitojë edhe Beogradin ku pritet të takohet me liderët atje./gazetametro.net