Burri iu shpall fajtor pasi e denoncoi rrejshëm për dhunë në familje, arrestohet gruaja nga Lipjani

Qytetarët që lajmërojnë rrejshëm në Polici për çfarëdo rasti rrezikojnë të futen në sherr me ligjin dhe të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla nuk janë të rralla në vendin tonë dhe motivet shpesh dalin të jenë mosmarrëveshje. Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një grua nga Lipjani, e cila po dyshohet se ka bërë denoncim të rremë për një rast të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, e dyshuara P.L., e ka raportuar burrin e saj në muajin prill të vitit të kaluar dhe për pasojë i njëjti është shpallur fajtor nga Gjykata. Pas dënimit të shqiptuar ndaj tij, i njëjti ka ushtruar kallëzim penal ndaj bashkëshortes, të cilën e ka denoncuar për lajmërim të rremë.

Bazuar në dëshmitë e viktimës, gruaja e tij është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, me ç’rast e ka pranuar se ka gënjyer kur e ka raportuar bashkëshortin e saj, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit e ka ndaluar të dyshuarën dhe ndaj saj ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarës, në Gjykatën kompetente.​