Bytyçi i PDK’së: Kurti po i ndal dasmat, e kushërinjtë tash po i dërgon në ministri

Zëdhënësi i PDK’së, Avni Bytyçi, tha se zgjedhja e presidentes Vjosa Osmanit, do të thotë që është në shërbim të liderit të VV’së, Albin Kurti.

Ai tha se Kurti ka filluar thyerjen e premtimeve, derisa përmendi edhe deklaratat e tij për një president unifikues dhe apolitik.

”Politikani kapet për fjale, jo për konopi, andaj duhet me i mbajt premtimet, e Kurti veç ka filluar me tregu që nuk po mban premtime. Kurti ka qenë ai që ka kundërshtuar presidentët e Kosovës, duke thënë se Presidenti duhet të jetë apolitik dhe unifikues. E ka propozuar edhe Murat Jasharin në atë kohë, por kur i erdhi koha që të jetë në pozitë, pse nuk e zgjodhi Murat Jasharin”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka folur edhe për masat e reja nga Qeveria, duke thënë se Kurti tash ‘po i dërgon kushërinjtë nëpër ministri’.

”Kurti po i ndal dasmat kushtimisht, e kushërinjtë tash po i dërgon në ministri”, ka thënë Bytyçi në Kanal 10, duke aluduar në deklaratat e Kurtit gjatë fushatës i cili kishte deklaruar se kushërinjtë janë për dasma dhe jo për pozita shtetërore.