Bytyçi: Ligji për paga, populist e përçarës

Problemi më i madh me Ligjin për paga është se bën dallime mes sektorëve të ndryshëm, kur disa sektorë trajtohen si kategori e ulët, ka thënë drejtuesi i Institutit Ballkanik të Politikave (IPOL) dhe ligjërues në University of Winchester në Angli, Seb Bytyçi, në një intervistën për “Kohën Ditore”.

Shërbimi civil, sipas tij, klasifikohet si kategori e ulët me koeficient të ulët dhe favorizohen disa sektorë të tjerë, si drejtësia e shëndetësia. Kjo, ka shtuar ai, është e dëmshme, sepse pa shërbimin civil nuk mund të funksionojë shteti.

Ligji për paga i miratuar në shkurt të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës, për Bytyçin është problematik, meqë ka natyrë populiste e përçarëse. Për këtë e bën fajtore Qeverinë në largim.

Në intervistë Bytyçi ka theksuar se në këtë ligj do të duhej që të kishte barabarësi e konsistencë në trajtimin e pozitave/koeficienteve nëpër të gjithë sektorët.

Institucionet e Kosovës, sipas tij, kanë mangësi të mëdha në punë, për shkak të ndikimeve politike e nepotizmit, ku simptomat janë të ndryshme; si moskryerja e punës, favorizimi, mungesa e përshkrimeve të qarta të punës, sabotimi etj. Për këtë beson se duhet një reformë e përgjithshme që i instalon profesionalizmin dhe meritokracinë.

KD: Para, por edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit të ri për paga kanë reaguar disa nga sindikatat, anëtarësia e të cilave ka përfituar rritje. Sa mund të ndikojë kjo qasje në krijimin e tensioneve sociale (janë përmendur protestat dhe grevat e përgjithshme) dhe cilat mund të jenë efektet?

Bytyçi: Mendoj se nuk ka simpati publike për grevat e vetëm disa sindikatave, sidomos kur ata sektorë i kanë tashmë rrogat mjaft të larta, dhe për këtë arsye reagimi i tyre ndaj vendimit të gjykatës nuk është aq i fortë. Në anën tjetër janë disa sindikata që nuk janë të kënaqura me Ligjin e ri, sepse ai i favorizon disa sektorë. Kështu që konflikti është më i madh mes sektorëve të ndryshëm, sepse ligji bën favorizime për disa sektorë.

KD: Vendimin e Kushtetueses e ka kritikuar edhe Qeveria në detyrë, përkatësisht kryeministri Haradinaj, me arsyetimin se Ligji për paga ishte i arsyeshëm. A mban përgjegjësi ai, meqë duke rritur pagat për kabinetin e tij për 100 për qind, vitin e kaluar, krijoi zinxhirin e pakënaqësive edhe tek të punësuarit në sektorin publik?

Bytyçi: Përgjegjësinë e plotë e ka Qeveria në largim, edhe për nisjen e këtij procesi, por edhe për përpilimin e një ligji mjaft të keq. Për arsye populiste janë bërë në ligj disa zvogëlime të pagave të krerëve të lartë.