Carl Bildt: Ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë

Bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Carl Bildt është deklaruar për zhvillimet e fundit politike të Kosovës dhe Serbisë si dhe për mos-pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në takimin e parashikuar të zhvillohet më 27 qershor në Washington.

Sipas Bildt ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë.

“Ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai në Twitter, transmeton Indeksonline.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, presidenti i vendit, Hashim Thaçit ka anuluar pjesëmarrjen e tij në takimin e Washingtonit pas dorëzimit të aktakuzës nga Prokurori Special.

Pas kësaj edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka njoftuar sot se anulon pjesëmarrjen e tij në takimin me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, me arsyen që delegacioni i palës kosovare pa presidentin e vendit, Hashim Thaçi është i përgjysmuar.

Është vetë i dërguari i Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cili mbrëmë tha se mezi pret takimin e 27 qershorit ku sipas tij pala kosovare do të përfaqësohej nga Avdullah Hoti kurse pala serbe nga Aleksandar Vuçiq.